NJË DRITARE E HAPUR PËR MUA. Diskutim rasti në gjuhën shqipe.

You need to login in to ChildHub before you can join this discussion. If you don't yet have an account, please register.

Register and join Login and join

Prej më shumë se dy vitesh punoj në një qendër që ofron shërbime për fëmijë të marxhinalizuar. Prej shumë rasteve, dua të rrëfej historinë e Erës , një vajze tashmë thuajse 17 vjeçare, jeta e së cilës nuk ka qenë aspak e lehtë.

Ishte një mesditë Marsi në vitin 2013. Në derë u shfaq një vajzë (atëherë 14 vjeçare), me nënën. Nëna kishte dëgjuar për qendrën tonë dhe kërkonte një shpresë, kërkonte të hapte një dritare për vajzën e saj të cilës jeta ja kishte mbyllur shumë dyer që në moshë të vogël.

Nëna rrëfeu se vajza u ishte nënshtruar disa operacioneve kirurgjikale në syrin e djathtë për shkak të kancerit në fytyrë, i cili i ishte shfaqur në moshën 10 vjeçare. Të ballafaqohesh me këtë sëmundje tek një fëmijë ishte një përvojë dërrmuese dhe e frikshme. “Merre me mend si është të shohësh vajzën tënde, ndërkohë që ndihmon infermieren të gjejë një venë për terapinë” – pohonte nëna me sy të përlotur.

 Kishte flokë të zinj, të gjatë e të hedhur mbi fytyrë për të mbuluar fashën në sy.

Vajza nisi të më tregonte përvojat e hidhura nëpër të cilat kishte kaluar, dhimbjet që i kishte sjellë jeta, dhe përballjen e vazhdueshme me sfidat dhe realitetin e hidhur. Gjendjes së stërzgjatur e të rënduar shëndetësore, ju shtua dhe situata e rënduar psikologjike e vajzës dhe gjithë familjes teksa luftonin për të pranuar një realitet të tillë. Largimi shpesh herë nga familja dhe Kosova për trajtim, ndërprerjet e vazhdueshme të shkollës, frika e sëmundjes dhe dëshira e madhe për të jetuar si dhe ndërhyrjet e shumta në fytyrë, e kishin vrarë ndjeshëm vetë-vlerësimin dhe vetë-besimin e fëmijës.

Vajza prej kohësh ishte mbyllur në vetvete, nuk shoqërohej si më parë me moshatarët dhe ishte plot brenga e pasiguri për të ardhmen. Ankthi dhe frika e shoqëronin vazhdimisht duke mos e lejuar të jetonte shpenguar jetën e saj, jetën e një fëmije. E ftova të bëhej pjesë e qendrës dhe i shpjegova shërbimet që ofronim.

Doja që jeta e saj të ndryshonte rrënjësisht!

Fillova trajtimin e fëmijës dhe këshillimin me familjen. Seancat e para punova për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndoshë besimi dhe pranimi me fëmijën gjë që do të ndikonte që Era të ndihej e pranuar dhe të shprehej lirisht për brengat e saj. Qëllimi ishte që vajza dhe familja të pranonin situatën ku ndodheshin dhe të liroheshin nga ankthi që mbizotëronte jetët e tyre. Seancat e para kam edukuar vajzën që të ruante funksionimin social, për të parandaluar degradimin e mëtejshëm psikologjik dhe emocional.

Me kalimin e kohës raporti ynë u bë i besueshëm dhe cilësor. Era ishte vajzë inteligjente, ajo e perceptoi empatinë dhe pranimin tim dhe gradualisht filloi të ndryshonte qëndrimin e saj ndaj situatës. Ajo ishte më e hapur dhe pranuese për ngjarjet që kishte jetuar. Filloi të tregonte situata të ndryshme, prej atyre të kaluara nëpër spitalet jashtë shtetit, frikërat që jetonte, sjelljet refuzuese nga moshatarë apo persona të tjerë, dhe të gjitha këto me qetësi dhe objektivitet, pa u afektuar nga emocione të mëdha.

Ndërkohë ofroja këshillim për familjen e sidomos për nënën e Erës e cila ishte bashkëpunuese dhe në gjendje të bënte çdo gjë për vajzën e saj. E këshilloja mbi stimujt që duhej ti jepte Erës, përforcimet dhe shpërblimet, për të ndikuar në rritjen e vetë-besimit dhe vetë-vlerësimit të saj.

Këshillimet u fokusuan edhe në rritjen e aftësive të Erës për të përballuar sëmundjen me besim dhe optimizëm. E inkurajoja atë për tu angazhuar në aktivitete të ndryshme që zhvillonim. I jepja detyra e role lideri, për të përforcuar ndjenjën e përgjegjësisë, suksesit dhe vlerës, që shkojnë përtej imazhit fizik.

Era ishte nxënëse me vullnet. E donte shkollën megjithë vështirësitë nga mungesat që kishte bërë gjatë trajtimit të sëmundjes. Një ditë më tregoi se ëndërronte të bëhej juriste, por sëmundja ja kishte plagosur këtë ëndërr dhe tashmë ndjente se ndoshta do ta kishte të pamundur realizimin e saj. Mungesa e mbështetjes adekuate institucionale dhe rrethi nga i cili shpesh ishte refuzuar, e kishin bërë të mendonte kështu. Vajza ndihej e pasigurt për arsimimin e saj të mëtejshëm. Për këtë vendosa kontakte me mësuesen e saj, duke krijuar një trekëndësh komunikimi mes familjes, shkollës dhe qendrës sonë.

Ky komunikim pati impakt pozitiv dhe ndikoi në përmirësimin e situatës. Me mësuesen shkëmbenim informacione dhe përcaktonim hapat e ardhshëm, për ti bërë ndërhyrjet më efikase. Era filloi të shfaqte ndryshime pozitive në shkollë, në sukses dhe kontaktet me shokët. Ajo ndihej më krenare dhe e sigurtë në mësime, rifitoi aftësitë për socializim me bashkëmoshatarët dhe për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme me ta, pa u ndjerë inferiore.

Tek shihja se te ai fëmijë ringjallej shpresa për jetë, gjeja motiv për të vazhduar më tej. Vijova me këshillim për të përforcuar besimin dhe për të luftuar ankthin e pasigurinë. Koordinimi me familjen dhe mësuesen e rritën impaktin e punës sonë dhe progresin e fëmijës.

Era sot është një vajzë e sigurtë, plot ide dhe iniciativa. Në qendër ndihet si në shtëpinë e saj dhe shpesh inkuadrohet vullnetarisht duke ndihmuar në aktivitete të ndryshme. Vazhdimisht e inkurajoj për këtë gjë, pasi marrja e përgjegjësive ja përforcon ndjenjën e të qenit e vlefshme, e dobishme dhe i zhvillon më tej vetë-vlerësimin. Era shfaq një dëshirë të madhe për të ndihmuar të tjerët. Ajo sot ka motiv e dëshirë për të ndërtuar të ardhmen e saj të cilin e dëshmon vazhdimisht jo vetëm në shkollë ku ja ka dalë të jetë një nxënëse e dalluar, por edhe me angazhimet jashtëshkollore në të cilat përfshihet. Tashmë tek ajo mund ta dallosh lehtë entuziazmin, motivin dhe dëshirën për të jetuar.

Një ditë më rrëfeu se dëshira e saj tashmë nuk është të behet juriste. “Dua të bëhem psikologe tha, të kem mundësi të ndihmoj të tjerët. T’u ofroj të tjerëve në nevojë, atë që unë gjeta me ju”.

Era më ka bindur se sfidat nuk mund ta shuajnë një ëndërr. Ajo ja doli që ta bënte realitet ëndrrën e saj!

Date and time for case discussion: 
20 Qer 2016 - 10:45am
Learning points: 
  • Format alternative te mbeshtetjes duhet te gjenden nga vete komunat si ne aspektin formal poashtu edhe ne ate joformal.
  • Eshte keqperdoruese per regjistrim ne shkolle sa i perket aftesive tkufizune, mungese e nje norme.
  • Te njihet roli i Qendrave per Pune Sociale pasi qe ato jane institucionet qe se pari merren me identifikimin e rasteve.
  • Duhet pasur kritere, ku ne raste te tilla Ministria e Arsimit mund te nderhyje.
  • Eshte pozitive qe vajza ka arritur progres ne vazhdimin e shkollimit pavaresisht veshtiresive.
  • Duhet te analizohen rastet ne vecanti pasi qe ne rast te mos pranimit te femijes me aftesi fizike ne shkolle mund edhe te arsyetohet nese niveli i nxenesit dhe shkolles nuk korrespondon e qe mund te kete pasoja afatgjate negative per femijen.
  • Duhet vleresuar mundesite qe objektive qe ofrohen nga shkolla dhe pershtatshmeria e femiut me ate shkolle ne menyre qe te jete ne interesin me te mire te femiut.
  • Nuk do te duhej qe pranimi apo mos pranimi i femijeve me aftesi te kufizuara ne shkolle te mbetet ne vleresimin e vetem drejtorave te shkollave por duhet te kene qasje edhe institucionet tjera.
You need to login in to ChildHub before you can join this discussion. If you don't yet have an account, please register.

Register and join Login and join

Suggest a case to discuss

Ky projekt është financuar nga: