Projekti-PARANDALIMI I DHUNËS NË SHKOLLA

Date: 
30 Nën 2016

Policia e Kosovës në kuadër të misionit dhe vizionit të saj në identifikimin, hetimin dhe ndjekjen e keqbërësve dhe sjelljen e tyre para drejtësisë, fokus të veçantë dhe me prioritet i jep parandalimit të veprave të ndryshme penale ku përmes këtij fokusi të parandalojmë pasojat për shoqërinë tonë të cilat mund të jenë edhe fatale.

Shkolla është më shumë se një institucion akademik, para se gjithash, shkolla është një institucion edukativo-arsimor për fëmijët tanë. Krijimi i një mjedisi të sigurt për nxënësit pa frikën nga sjelljet e dhunshme dhe jo njerëzore, është një sfidë relativisht e madhe për shoqërinë dhe para se gjithash një kusht elementar për ngritjen sigurisë dhe cilësisë së arsimit në Republikën e Kosovës.

Dhuna në shkolla (School Bullying, në anglisht) dhe delikuenca e të miturve në përgjithësi është një realitet i pothuajse i përditshëm për miliona nxënës të shkollave në mbarë botën. Kohën e fundit, jemi dëshmitarë të shfaqjes së disa sjelljeve jo-shoqërore apo të dhunshme të formave të ndryshme në shoqërinë tonë. Së fundmi, një perceptim është shfaqur në shoqëri ku mendohet se sjelljet e dhunshme apo dhuna në cilën do formë është bërë më e përhapur dhe e theksuar në shoqëri, duke përfshirë edhe institucionet e edukimit para-universitar të Republikës së Kosovës.

Është me rëndësi të theksohet se, dhuna në shkolla nuk manifestohet menjëherë pas një mosmarrëveshjeje në mes të nxënësve gjegjësisht bashkëmoshatarëve, mirëpo, kjo arrogancë dhe sjellje jo shoqërore përcillet me një histori në të cilën palët në konflikt kanë kaluar para kryerjes së ndonjë sulmi eventual. Tani më, me përsosmërinë e teknologjisë informative respektivisht lehtësimin e komunikimit përmes rrjeteve sociale, ka avancuar dhe në të njëjtën kohë është vështirësuar identifikimi i shkaktarëve apo historisë së konfliktit në fazat e hershme të zhvillimit e cila shpie deri tek mundësia që dhuna fizike potencialisht të manifestohet në institucionin shkollor. P.SH. Kemi raste kur, për shkak të një statusi të postuar në rrjetin social FACEBOOK përmes të cilit një grup nga një shkollë ka etiketuar një grup tjetër të bashkëmoshatarëve nga një shkollë tjetër kemi pasur përleshje të rëndë ku janë përdorur edhe mjete të mprehta.

Kjo do të thotë se, dhuna në shkolla përfshinë shumë më tepër se vetëm përdorimin e forcës fizike, mjeteve të ndryshme, thirrjeve me emra fyes (nënçmues) apo BULLYING siç njihet në anglisht, frikësimit, rrëmbimit të ushqimit dhe parave nga viktimat etj.

Nxënës të cilët janë viktimë e dhunës në shkolla mund të ndjehen “fajtorë” dhe të krijojnë perceptimin dhe besimin se e meritojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. Në të kaluarën, por edhe në ditët e sotme, në shoqëri dhe tradita të ndryshme, ndëshkimi fizik ka qenë dhe sipas situatës në terren ende mbetet njëra nga mënyrat për imponimin e “zgjidhjeve”, disiplinimin dhe “edukimin” e nxënësve apo nënshtrimin e tyre sipas rregullave të një grupi të caktuar nxënësish apo individësh në hapësirat shkollore.

Policia e Kosovës përmes Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Preventivë respektivisht Sektorit për Parandalimin e Krimit dhe Delikuencës së të Miturve vazhdimisht harton projekte dhe kampanja vetëdijesuese me qëllim të parandalimit të sjelljeve të dhunshme dhe delikuente në shkolla, ngritjen e vetëdijes së prindërve, mësim dhënësve dhe nxënësve rreth formave të ndryshme të dhunës të cilat mund të shfaqen ndërmjet bashkëmoshatarëve.

Dokumentёt e bashkangjitura: 
Vende(t) pёr tё cilat ёshtё relevant kjo pёrmbajtje: 
Kosova
Series this is part of: 

Ky projekt është financuar nga: